Vizitë studimore e stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë, 17-19 Prill, 2014
Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë, Dr. Sebastian Nerad, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Zoti Kujtim Osmani, zhvilloi një vizitë studimore dy ditore pranë Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, në datat 17 – 19 prill 2014. Delegacioni kishte në përbërje të tij edhe drejtorët e tri drejtorive në Gjykatën Kushtetuese, si dhe tri këshilltarë ligjorë.
Gjatë kësaj vizite studimore, drejtuesit e disa departamenteve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë prezantuan organizimin, kompetencat dhe veprimtaritë e strukturave të tyre respektive, dhe këshilltarët ligjore bënë një prezantim të detajuar të mënyrës së organizimit dhe funksioneve të tyre. Përfaqësuesit e dy Gjykatave Kushtetuese patën mundësinë e shkëmbimit të përvojave të tyre respektive në fushat me interes të përbashkët për të dy institucionet kushtetuese.